Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes janë në gjendje gatishmërie dhe po reagojnë në terren pas reshjeve të dendura dhe stuhisë që ka përfshirë vendin.
Sipas ministrisë, në hyrje të Shtërpcës, në rrugën rajonale R115, si pasojë e stuhisë janë rrëzuar drunj, duke shkaktuar dëme edhe në disa automjete.
Ministria bën të ditur se ekipet e mirëmbajtjes kanë intervenuar menjëherë për largimin e drunjve dhe pastrimin e rrugës.
“Pas ndërhyrjes së ekipeve në terren, rruga është liruar dhe aktualisht është e qarkullueshme”, thuhet në njoftim.
Tutje, ministria ka bërë të ditur se po vazhdon të jetë në gjendje vigjilence dhe në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës.
Njëkohësisht, u është bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në rrugë, të shmangin qarkullimin e panevojshëm gjatë reshjeve të dendura apo stuhive dhe ta përshtatin shpejtësinë e vozitjes me kushtet atmosferike.
