Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka tentuar ta paraqesë si “model stabiliteti” marrëveshjen e re politike në Kryeqytet, por në praktikë ka zyrtarizuar bashkëqeverisjen me PDK-në, AAK-në, Nismën dhe Lidhjen për Prishtinën.
Në një status të gjatë publik, Rama ka folur për “tejkalim dallimesh”, “bashkim”, “interes qytetar” dhe “stabilitet institucional”, duke insistuar se qytetarët “nuk jetojnë në parti”.
Megjithatë, reagimi i tij vjen pikërisht në kohën kur marrëveshja me PDK-në ka prodhuar tensione e pakënaqësi brenda elektoratit të djathtë dhe vetë LDK-së.
“Jam kundër çdo retorike përçarëse. Ne jemi një popull. Një shtet”, ka shkruar Rama, derisa paralelisht ka konfirmuar ndarjen e posteve me partnerët e rinj politikë në Kryeqytet.
Ai ka bërë të ditur se emërimet nga LDK-ja janë realizuar përmes “Kolegjiumit” të pesë degëve të Prishtinës, ndërsa ka theksuar se bashkëqeverisja tashmë është finalizuar me AAK-në, Nismën, Lidhjen për Prishtinën dhe PDK-në.
Rama ka tentuar ta justifikojë këtë konfigurim politik me nevojën për stabilitet dhe projektet që e presin Prishtinën, përfshirë edhe Lojërat Mesdhetare.
“Kosova nuk ka nevojë për më shumë krizë e polarizim”, ka deklaruar ai, në një status që për shumëkënd u lexua më shumë si përpjekje për të qetësuar pakënaqësitë politike sesa si mesazh uniteti.
