Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), duke thënë se vetëm pesë ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, prindërit ende nuk i kanë marrë mjetet për blerjen e teksteve shkollore.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se ministri i Arsimit u kishte kërkuar prindërve që të mos i blinin librat, me arsyetimin se ministria ishte duke negociuar çmimet me shtëpitë botuese.
Sipas saj, tani që kanë mbetur vetëm pesë ditë deri më 1 shtator, pozita e shtëpive botuese në këto negociata është forcuar.
“Tash, kur kanë mbetur vetëm pesë ditë deri më 1 shtator, qëllojani se pozita e kujt është forcuar në këto negociata. Mos të harrojmë se ka komuna që nuk kanë as librari. E prindërit e dinë shumë mirë çka heqin çdo vit t’i gjejnë të gjitha librat, sepse shtëpitë botuese, si biznese private që janë, i shtypin librat bazuar në kërkesë. Amatera! Një prej gjërave që ka funksionuar mirë në arsim ka qenë pikërisht furnizimi i nxënësve me libra edhe këtë e përmbysët”, ka shkruar Bajrami.
