Petrit Ajetit, drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), i është vazhduar mandati edhe për pesë vite të tjera, ka njoftuar ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë së bashku me kryeministrin Albin Kurti, duke u bazuar në besimin e ekzekutivit në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e tij në udhëheqjen e institucionit kryesor të inteligjencës në vend.
“Sot, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, nënshkruam vendimin për vazhdimin e mandatit të z. Petrit Ajeti në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë edhe për pesë vjet të tjera. Ky vendim pasqyron besimin tonë në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e tij në mbrojtje të sigurisë kombëtare, si dhe në forcimin e institucioneve tona të sigurisë”, ka shkruar Haxhiu.
Në takimin ku është marrë vendimi, është vlerësuar edhe puna e deritanishme e drejtorit të AKI-së, duke u theksuar përkushtimi i tij në fushën e sigurisë kombëtare dhe forcimin e institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Në njoftim thuhet se Ajeti ka mbi 20 vjet përvojë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa pesë vitet e fundit ka udhëhequr Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
“Përvoja e tij profesionale përfshin funksione të larta në sektorin e sigurisë, me kontribut të vazhdueshëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ai ka përfunduar studimet në Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, si dhe studimet master në Universitetin Metropolitan të Londrës.
Po ashtu, ka ndjekur programe të shumta të zhvillimit profesional në fushën e sigurisë në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Forcimi i institucioneve të sigurisë dhe mbrojtja e interesave shtetërore mbeten ndër prioritetet kyçe të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
