Ish-diplomati Petrit Selimi, në emisionin “Forum” në DTV Media, ka folur për zbatimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke komentuar se çfarë mund të ndodhë pas miratimit të tij dhe çfarë parashihet që nga dita e parë e zbatimit.
Selimi ka theksuar se çështja lidhet edhe me zhvillimet e ardhshme në procesin gjyqësor në Hagë, veçanërisht me fazën e Apelit dhe pasojat që mund të ketë ajo për ish-krerët e UÇK-së.
Gjatë diskutimit, ai ka përmendur edhe vlerësimet e një gjyqtari të Dhomave të Specializuara, i cili, sipas Selimit, kishte folur për një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe kishte përfshirë në këtë kontekst edhe figura të tjera të shtabit të UÇK-së.
Sipas interpretimit të Selimit, fakti që procesi aktual përqendrohet te katër ish-krerët e UÇK-së nuk do të thotë domosdoshmërisht se çështja përfundon me ta. Ai ka ngritur shqetësimin se formulimet e përdorura në këtë proces mund të lënë të hapur diskutimin për zhvillime të tjera në të ardhmen.
Selimi ka folur kështu për rëndësinë e ligjit të miratuar në Kuvend dhe për atë se si mund të ndikojë ai në çështjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
