Policia e Kosovës ka dalë me një apel drejtuar qytetarëve, duke marrë parasysh temperaturat e larta dhe përvojat nga vitet e kaluara, kur zjarret kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm dhe pasoja të rënda kudo që janë shfaqur.
Policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë apo të njoftojnë autoritetet për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të zjarrvënieve.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka theksuar se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë individëve që në çfarëdo forme rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht apo përmes pakujdesisë.
Në apelin e saj, Policia u është drejtuar veçanërisht qytetarëve të rajonit të Pejës që të jenë maksimalisht të kujdesshëm në çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarre gjatë përdorimit, siç janë shkrepëset, cigaret, grillat apo zjarret në natyrë.
