Policia e Kosovës, në bashkëpunim me ushtarë nga Batalioni Manovrues i Komandës Rajonale–Lindje të misionit të udhëhequr nga KFOR/NATO, ka realizuar një ushtrim të përbashkët të quajtur “Incident Command Walkthrough”.
Qëllimi i këtij ushtrimi ishte testimi dhe avancimi i procedurave standarde të operimit, mekanizmave të komandimit dhe kontrollit, si dhe forcimi i metodave të koordinuara të reagimit. Ky aktivitet synon të sigurojë një nivel të lartë të gatishmërisë operacionale dhe një përgjigje të shpejtë e efektive ndaj çdo sfide të mundshme të sigurisë.
Angazhime të tilla të përbashkëta dëshmojnë profesionalizmin, koordinimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, në funksion të përmbushjes së misionit të përbashkët për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës vlerëson lart angazhimin dhe mbështetjen e të gjithë partnerëve të saj, të cilët kontribuojnë në mënyrë të vazhdueshme në avancimin profesional dhe operacional të Policisë së Kosovës.
