Policia e Kosovës ka raportuar për gjashtë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit.
Në Prishtinë është raportuar rreth orës 12:00 se viktima femër ëstë kanosur përmes SMS-ve nga i dyshuari mashkull me të cilin ka bashkëjetuar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Kaçanik, Policia ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar nuk iu është përmbajtur rekomandimeve mjekësore dhe si rrjedhim ka shkaktuar dhunë psikike në familje. I dyshuari është dërguar në emergjencë-psikiatri për kontroll mjekësore.
Rasti tjetër është raportuar në Pejë rreth orës 19:10, ku i dyshuari mashkull kosovar pas mosmarrveshjes ka sulmuar fizikisht dy viktimat një femër dhe një mashkull kosovar. Viktimat raportohet se kanë pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Po ashtu në Pejë rreth orës 17:30 është raportuar për arrestimin e një të dyshuari mashkull kosovar, i cili kishte kanosur përmes telefonit ish-të dashurën e tij. I njejti po-ashtu kohë më parë kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Rasti tjetër është raportuar në Gjakovë, ku rreth orës 9:00, Policia ka arrestuar një mashkull pasi i njejti në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës femër. Raportohet se i njejti është dërguar në mbajtje.
Dhunë në familje është raportuar edhe në Mitrovicë të Jugut, ku bashkëshorti i viktimës pas një mosmarrëveshjeje kishte ofenduar dhe kishte sulmuar fizikisht viktimën. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
