Dy shtetas të huaj janë ndaluar për 48 orë në Prishtinë, nën dyshimin për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike.
Policia e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate se, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor të ministrisë kompetente, ka realizuar një inspektim në një lokacion në Prishtinë.
Sipas komunikatës, inspektimi është kryer lidhur me dyshimet për ushtrim të veprimtarisë në fushën e ortoprotetikës pa licencën përkatëse.
“Gjatë inspektimit është vënë re dhe dyshohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore në kundërshtim me dispozitat ligjore, me ç’rast Inspektorati kompetent ka ndaluar ofrimin e këtyre shërbimeve”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit dy personat e dyshuar, shtetas të huaj, janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
“Pas përfundimit të procedurave, me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në komunikatë.
Sipas Policisë, rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente për procedura të mëtejme ligjore.