Protesta e qytetarëve para Kuvendit të Kosovës ka vazhduar edhe sot, në shenjë pakënaqësie ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe në pritje të votimit të ndryshimeve të ligjit për Dhomat e Specializuara.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vazhduar me masat e sigurisë për ruajtjen e rendit dhe mbarëvajtjen e protestës.
Sipas Policisë, disa protestues kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit, ndërsa janë hedhur edhe mjete të ndryshme dhe mjete piroteknike drejt objekteve shtetërore.
Pavarësisht thirrjeve të policisë për protestë të qetë, një person është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme, nën dyshimin se ka poseduar dhe hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore.
Sipas RTK-së, i arrestuari është Fatlum Rushiti, i cili dyshohet se ka thyer një xham të objektit të Kuvendit gjatë protestës.
Policia ka përsëritur se njeh të drejtën e qytetarëve për protestë paqësore dhe ka apeluar që protestuesit të respektojnë ligjin dhe të mos dëmtojnë pronën publike.
