Analisti politik Dardan Sejdiu ka komentuar dallimet në rezultatet zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke vënë në pah një kontrast mes suksesit të tyre në zgjedhjet lokale dhe rezultateve në nivel nacional.
Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, Sejdiu tha se të dyja partitë arrijnë të fitojnë komuna bindshëm, madje në disa raste edhe pa balotazh, por në zgjedhjet parlamentare nuk arrijnë të marrin të njëjtin mbështetje.
Ai theksoi se në komunat ku LDK-ja dhe PDK-ja kanë pushtetin lokal, organizimi partiak dhe rezultatet zgjedhore janë dukshëm më të mira.
“Edhe PDK-në, edhe LDK-në i shoh në vendet ku kanë pushtet, ku rezultatet në nivel lokal janë shumë më të mira. E shoh një organizim partiak i cili është i mbështetur, dhe i shohim në komuna ku dalin pa balotazh ose ku dalin bindshëm fitues, për të dalë të tretët në atë komunë në zgjedhjet nacionale”, ka deklaruar Sejdiu.
Sipas tij, ekziston një lidhje mes kontrollit të pushtetit lokal, organizimit partiak dhe mënyrës se si partitë mobilizojnë votuesit në zgjedhje të ndryshme.
Sejdiu ka ngritur kështu çështjen se pse partitë që kanë rezultate të fuqishme në nivel komunal nuk arrijnë ta përkthejnë të njëjtën mbështetje në zgjedhjet parlamentare.
