Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se Gjykata Kushtetuese sot e vërtetoi qëndrimin e LDK-së, se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës, duke rezultuar kështu në bllokimin e institucioneve të vendit.
Abdixhiku ka thënë po ashtu se mosrespektimi i këtij vendimi nuk është opsion.
“Nuk do ta lejojmë asnjë përbuzje të shtetit dhe Republikës. Në këtë vend, mbi Kushtetutë nuk ngrihet askush”, shkruan Abdixhiku në Facebook.
“Siç edhe pritej, për secilin me mendje institucionale, Gjykata Kushtetuese sot vërtetoi qëndrimin e LDK-së – insistimin tonë të hershëm – se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës, duke rezultuar në bllokimin e institucioneve të vendit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai po ashtu ka theksuar se “për 48 herë rresht – rekord i turpshëm dhe i pashembullt në historinë parlamentare – bllokuesit tejkaluan kompetencat, shkelen Kushtetutën dhe penguan konstituimin e institucioneve të vendit”.
Sipas tij, Gjykata riafirmoi qartë se as Kryesuesi më i moshuar e as partia më e madhe nuk mund të veprojnë jashtë Kushtetutës, e as të shpikin procedura që minojnë demokracinë dhe ligjshmërinë.
Ai thekson po ashtu se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit bëhet vetëm me votim të hapur, deri në tre herë për një kandidat, dhe brenda afatit kushtetues 30-ditor.
“Ky aktgjykim është fitore e madhe, jo vetëm e LDK-së, por e Republikës së Kosovës dhe e çdo qytetari që kërkon institucione funksionale, transparente dhe të ndershme”, shkruan ai.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës konstituive që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtuese e Kosovës ka publikuar sot (e hënë) aktgjykimin e plotë lidhur me bllokadën në Kuvend.
Masa e përkohshme është mbajtur në fuqi deri në publikimin e aktgjykimit dhe publikimit të tij në Gazetën Zyrtare.
Më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese ka thënë se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur. Po ashtu, gjykata vendosi që një kandidaturë për kryeparlamentar të votohet vetëm tri herë. Kushtetuesja tha se konstituimi duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.
