Tre nga katër policët që u arrestuan gjatë aksionit të sotëm në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me pronat, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Për Alfred Ismajlin, Artan Shalën dhe Bion Beqirin, zyrtarë policorë, është caktuar masa e ndalimit 48-orësh.
Katër nga pesë zyrtarët që u arrestuan gjatë ditës së sotme si të dyshuar për mashtrime lidhur me prona janë zyrtarë policorë.
Gazeta raportoi se njëri nga zyrtarët e arrestuar është Fitim Sertolli, zyrtar për gjeodezi në Komunën e Prishtinës.
Të dyshuarit po hetohen për vepra si: keqpërdorim i pozitës zyrtare, shkelje e fshehtësisë së procedurës, marrje deklaratash me anë të shtrëngimit, keqpërdorim i informatës zyrtare, mashtrim, legalizim i përmbajtjes së rreme, marrje dhe dhënie ryshfeti.
“Sipas dyshimeve fillestare dhe veprimeve hetimore të ndërmarra deri në këtë fazë të hetimeve, të dyshuarit në bashkëveprim, dyshohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale që lidhen me përfitime të kundërligjshme pasurore, përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të tyre”, thuhet në njoftim.
