Qytetarja Aulonë Mehmeti ka bërë të ditur se është ndier nën presion pas publikimit të një statusi në Facebook, në të cilin kishte përshkruar kushtet e rënda që kishte hasur gjatë trajtimit të djalit të saj dyvjeçar në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Në një reagim të dytë, Mehmeti ka shkruar se, pas statusit të saj për kushtet në Pediatrinë e QKUK-së, në vend të reflektimit kishte filluar të ndiente presion lidhur me atë që kishte publikuar.
“Pas statusit tim për kushtet në Pediatrinë e QKUK-së, fatkeqësisht, në vend të reflektimit, kam filluar të ndiej presion për atë që kam shkruar”, ka shkruar ajo.
Sipas Mehmetit, mbrëmjen pas publikimit, rreth orës 23:30, persona të cilët ajo nuk i ka identifikuar në postim e kishin vizituar në dhomën ku po qëndronte me të birin.
“Mbrëmë, rreth ores 23:30 me kanë vizituar në dhomën ku po qëndroj me djalin tim dhe më është kërkuar t’i verifikoje ato që kam shkruar në status”, thuhet në reagimin e saj.
Ajo ka deklaruar se është vizituar përsëri të nesërmen, rreth orës 10:30, kur, sipas saj, i është thënë se ato që kishte shkruar ishin të pasakta dhe i është kërkuar të përgatiste një raport për rastin brenda një afati të shkurtër.
“Sot, rreth orës 10:30 me kanë vizituar prap, me c’rast me është thënë se ato qe kam shkruar jane te pasakta dhe me është kërkuar edhe raport lidhur me rastin (dhe atë, me gisht drejtuar duke me thene se duhet ta shkruaj deri në ora 11:00)”, ka shkruar Mehmeti.
Mehmeti shtoi se nuk ka refuzuar dhe nuk refuzon që shqetësimet e saj t’i adresojë përmes procedurave institucionale. Megjithatë, ajo shkroi se trajtimi i djalit të saj ende nuk kishte përfunduar dhe se kujdesi për të ishte prioriteti i saj në atë moment.
“Dua të sqaroj se nuk kam refuzuar dhe nuk refuzoj ta adresoj ankesën time përmes rrugëve institucionale. Trajtimi i djalit tim ende nuk ka përfunduar dhe, në këtë moment, prioriteti im është të kujdesem për të. Sapo të përfundojë trajtimi, do t’i ndjek edhe procedurat përkatëse”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka shtuar se fotografitë e publikuara së bashku me statusin e parë dokumentojnë gjendjen për të cilën ishte ankuar.
“Por, ndërkohë, fotografitë janë publike. Ato e dëshmojnë gjendjen ndoshta më mirë se çfarëdo ankese që mund të shkruaj unë”, ka shkruar Mehmeti.
Sipas saj, për adresimin e problemeve si dyshekët e njollosur, mungesa e sapunit dhe mungesa e kushteve elementare nuk do të duhej të pritej një ankesë formale nga një prind që po kujdeset për fëmijën e shtrirë në spital.
“Për të filluar adresimin e një dysheku të njollosur, mungesës së sapunit apo kushteve elementare, nuk duhet pritur ankesa e një nëne me fëmijën e shtrirë në spital. Mjafton të shihet ajo që shihet me sy”, ka thënë ajo.
Mehmeti e ka paraqitur çështjen si një problem që, sipas saj, tejkalon përvojën e një individi dhe lidhet me mënyrën se si shoqëria reagon ndaj kushteve të papranueshme në institucionet publike.
“Dhe kjo, në fund, nuk është çështje e një individi. Është dështim i yni si shoqëri nëse mësohemi me të papranueshmen dhe kemi frikë të kërkojmë më mirë. Sepse, herët a vonë, të gjithë mund të detyrohemi t’i sjellim fëmijët tanë këtu”, thuhet në postimin e saj.
Ajo ka bërë thirrje për mbështetjen e sistemit publik shëndetësor, por edhe për kërkim të përgjegjësisë nga institucionet.
“Duhet ta duam dhe ta mbështesim shëndetësinë publike. Por pikërisht sepse është e jona, duhet edhe të kërkojmë llogari për të. Pa frikë”, ka shkruar Mehmeti.
Reagimi i parë
Në publikimin fillestar, të titulluar “Në mbrojtje të Dante Aligerit”, Mehmeti kishte përdorur një krahasim me “Ferrin” e Dante Alighierit për të përshkruar përvojën e saj në Pediatrinë e QKUK-së.
“Pediatrinë e QKUK-së, për shembull, nuk e kishte vizituar. Po ta kishte vizituar ndoshta sot letërsia botërore do ta njihte edhe rrethin e dhjetë: atë ku nuk përfundon për mëkatet e tua, por thjesht sepse fëmija të është sëmurë dhe ke pasur nevojë për sistemin publik shëndetësor”, kishte shkruar ajo.
Mehmeti kishte treguar se djali i saj, Gjergji, dy vjeç, ishte dërguar në QKUK pas disa ditësh me të vjella dhe diarre dhe, pas vlerësimit mjekësor dhe analizave, ishte vendosur të shtrohej në Pediatri.
Ajo ngriti shqetësime për procedurën e vendosjes së kanilës, sistemimin e pacientëve, kontrollin e infeksioneve, higjienën, mungesën e çarçafëve dhe sapunit, gjendjen e dyshekëve, privatësinë në tualete dhe komunikimin e personelit me prindërit.
“Shtrati ku duhej të shtrihej fëmija ynë kishte njolla të shumta. Disa prej tyre dukeshin si gjak apo mbetje të vjetra biologjike. Nuk e di çfarë ishin. Më mirë të mos e dimë”, kishte shkruar Mehmeti.
Ajo kishte thënë se familja nuk po kërkonte luks apo trajtim të privilegjuar, por kushte bazike për një repart spitalor ku trajtohen fëmijët.
“Nuk po kërkojmë luks. Nuk po kërkojmë dhoma private. Nuk po kërkojmë televizor. Po kërkojmë pastërti. Po flasim për sapun.Për një çarçaf të pastër. Për një dyshek pa njolla me origjinë të panjohur. Për një tualet me privatësi elementare. Për masa bazike të kontrollit të infeksioneve. Për komunikim profesional me prindërit e një fëmije të sëmurë. Për MINIMUMIN..”, thuhej në postimin e saj ndër tjera.
