Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar sërish Qeverinë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje për bllokimin e projekteve kapitale në kryeqytet.
Rama ka deklaruar se Qeveria, pa dhënë sipas tij një arsyetim të qëndrueshëm, ka bllokuar projektin e “Ishullit urban”, i cili synon të lidhë lagjen “Arbëria” me qendrën e Prishtinës.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Rama ka thënë se rreth 30 mijë banorë të kësaj lagjeje vazhdojnë të detyrohen të kalojnë përmes shinave të trenit për të dalë në qendër të kryeqytetit.
Kryetari i Prishtinës ka pretenduar se punimet për këtë projekt janë ndalur në mënyrë të jashtëligjshme, ndërsa vendimi ligjor për ndaljen e tyre është nxjerrë më vonë.
Postimi i plotë:
“Ishulli Urban” e lidh Arbërinë me qendrën e Prishtinës.
Sot, rreth 30 mijë banorë detyrohen me kalu përmes shinave të trenit për me dalë në qendër. Jo pse nuk ka projekt. Jo pse nuk kanë nisë punimet. Por sepse Qeveria ka vendosë me i blloku!
Procedurat i kemi kry. Punimet kanë fillu. Erdhën edhe i qitën shiritat
Arsyetimi? “Po e mbrojmë trashëgiminë kulturore.” Cilën trashëgimi kulturore?!
Aq më tepër i kanë ndal punimet jashtëligjshëm! Punimet i ndalën në MAJ. Aktin ligjor e nxorën në QERSHOR. Pra, fillimisht e ndalën projektin, pastaj e krijuan arsyetimin për ndaljen e tij.
Le të dalë veç NJËRI prej tyre para 30 mijë banorëve të Arbërisë dhe le ta thotë një arsye të vetme që e justifikon këtë bllokadë! Një të vetme.
Qeveri e “vades të Lupçit”. Marre!
