Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke e akuzuar se po e mban vendin të bllokuar dhe se situata aktuale po prodhon shkelje të njëpasnjëshme.
Ramadani e ka cilësuar gjendjen aktuale si “jo kushtetuese”, duke paralajmëruar se shkeljet që po ndodhin në këtë periudhë do të trajtohen veç e veç.
“Kjo gjendje jo kushtetuese është duke sjellë shkelje zingjir të shkeljeve. Si të tilla, ato do të trajtohen. Secila temë dhe çështje mbetet e lidhur me gjendjen jo kushtetuese, përkatësisht me nevojën që Kosova të kalojë këtë bllokadë”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka thënë se, sipas tij, sistemi kushtetues në Kosovë e përcakton se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore duhet të bëhet konstituimi i Kuvendit.
“Sistemi në Kosovë e ka të qartë se menjëherë pas certifikimit, konstituohet Kuvendi. Kushdo që dëshiron të vendosë tema të tjera para Kuvendit, po e shohim dhe po e mban të bllokum krejt Kosovën”, ka thënë Ramadani.
