Detaje të reja janë zbardhur nga mediat italiane lidhur me me krimin e rëndë që tronditi komunitetin shqiptar në Chiari të Brescias, ku 39-vjeçarja Meleqe Lusha u vra me thikë nga djali i saj, Eduart Xhani, 21 vjeç.
Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë brenda shtëpisë së tyre. Pasi i mori jetën të ëmës duke e goditur disa herë me thikë, i riu u largua nga vendngjarja me makinë. Megjithatë, pas disa orësh arratisje, ai u vetëdorëzua në polici ku edhe rrëfeu krimin.
Hetuesit italianë dyshojnë se shkak për veprimin e tij mund të jenë bërë problemet e shëndetit mendor, me gjithë se i riu nuk rezulton të ketë qenë nën trajtim mjekësor. Gjatë marrjes në pyetje, 21-vjeçari nuk ka qenë në gjendje të japë një shpjegim se pse e kreu krimin, teksa ka pohuar se nuk kishte asnjë pakënaqësi apo konflikt me të ëmën. Për këtë arsye, ndaj tij pritet të kryhet një vlerësim i specializuar psikiatrik.
Ngjarja ka lënë të tronditur fqinjët dhe banorët e lagjes në rrugën “Silvio Pellico”, ku 21-vjeçari jetonte me nënën e tij dhe ku banon ende një nga xhaxhallarët e tij.
“Ai ka qenë gjithmonë një djalë i mirë. Shpesh e shihja të ecte drejt stacionit për të shkuar në punë,” është shprehur një nga fqinjët, i cili shtoi se kurrë nuk kishte vërejtur sjellje problematike apo shqetësuese te i riu.
Fjalë të mira fqinjët kanë pasur edhe për viktimën, 39-vjeçaren Meleqe Lusha.
“Ajo ishte një grua shumë e ëmbël dhe e sjellshme, njësoj si djali i saj. Jemi pa fjalë,” thotë një banore e zonës. Ndërkaq, pronari i një dyqani në qendër të qytetit deklaroi se familja njihej si mjaft e mirë dhe bëri me dije se po organizon një mbledhje fondesh për t’i ndihmuar ata në këtë moment të vështirë.
