Ish-deputeti, Daut Haradinaj, ka reaguar me tone të ashpra ndaj qeverisjes së Albin Kurtit, duke e akuzuar atë drejtpërdrejt për shkelje të përsëritura të Kushtetutës dhe të ligjeve, si dhe për dëmtim të drejtpërdrejtë të institucioneve dhe demokracisë parlamentare.
Në një postim të publikuar në rrjetin e tij social në Facebook, Haradinaj ka potencuar se politikat e ndjekura nga Qeveria në detyrë dhe qasja e saj përballë opozitës shërbejnë si dëshmi e qartë e synimeve që, sipas tij, cenojnë drejtpërdrejt Republikën e Kosovës.
“Shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës dhe ligjeve, politikat meskine e mashtrimet publike dhe, së fundmi, edhe shantazhet ndaj rregullave të demokracisë parlamentare dhe opozitës, janë dëshmi e mjaftueshme për ta kuptuar se çka po synon ky grup njerëzish të arrijë”, ka deklaruar Haradinaj.
Përmes reagimit të tij, ai ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se ai ka një problem rrënjësor me shtetin e shpallur më 17 shkurt 2008.
“Albin Kurti e ka problem të madh Republikën e 17 shkurtit 2008, andaj po e sulmon dhe po synon ta shpërbëjë”, është shprehur më tej Haradinaj.
Në vijim të kritikave, Haradinaj ka goditur edhe mënyrën se si Kurti po i trajton marrëveshjet ndërkombëtare të arritura në Bruksel dhe Ohër.
“Republika e Kosovës nuk është laborator eksperimental i kuzhinave të kuqe, as për ikjen e fshehjen tënde nga Marrëveshja e Ohrit dhe e Brukselit”, ka shkruar ai.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Haradinaj i ka bërë thirrje të prerë Kurtit që të heqë dorë nga politikat që dëmtojnë vendin.
“Albin, Republika është mbi ty e secilin prej nesh. Mjaft me politika meskine që e dëmtojnë shtetin. Mos e sjell Kosovën në të panjohura se të gjithë njihemi mes vete”, ka përfunduar Haradinaj.
