Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), përmes Komitetit Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore, ka nxjerrë një opinion të ri që përcakton standarde të reja për sjelljen e gjyqtarëve në rrjetet sociale.
Sipas Opinionit, edhe veprime që mund të duken të zakonshme në hapësirën digjitale, si një “like”, “share”, koment apo miqësi virtuale, mund të ngrenë pikëpyetje për paanshmërinë e gjyqtarit.
Opinioni KKEGJ nr. 1/2026, i nxjerrë më 9 shtator 2026, trajton përdorimin nga gjyqtarët të Facebook, Instagram, X/Twitter, LinkedIn, TikTok dhe platformave të tjera.
Dokumenti nis nga parimi se në hapësirën digjitale kufiri ndërmjet jetës private dhe funksionit gjyqësor po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u ndarë.
Komiteti thekson se edhe një pëlqim, shpërndarje, koment apo ndjekje e faqeve të caktuara mund të perceptohet si shfaqje e paragjykimit ose anësisë së gjyqtarit.
Kujdes me miqësitë virtuale me avokatë e politikanë
Një nga pjesët më të ndjeshme të Opinionit lidhet me raportet virtuale të gjyqtarëve me avokatët dhe politikanët.
Komiteti vlerëson se, në rrethanat e Kosovës, nëse një gjyqtar shfaqet si “mik” virtual me një avokat që mbron palë në gjykatën ku ai punon, ose me një politikan që merr vendime për buxhetin e gjyqësorit, publiku mund të krijojë dyshime për paanshmërinë e procesit gjyqësor.
Për këtë arsye, gjyqtarët udhëzohen që ta rishikojnë dhe “pastrojnë” rregullisht listën e miqve në rrjetet sociale.
Në profilet personale duhet të evitohen komunikimet virtuale me avokatë praktikues, me palë të shpeshta në konteste – si përfaqësues të bankave apo institucioneve publike – si dhe me persona me precedent penal të njohur.
Si të papërshtatshme konsiderohen edhe komunikimet virtuale me prokurorët që përfaqësojnë lëndë para gjyqtarit konkret.
Gjyqtarëve u ndalohet përkrahja apo kritika ndaj partive politike
Rregulla të qarta janë përcaktuar edhe për aktivitetet dhe qëndrimet politike në rrjetet sociale.
Gjyqtarëve u ndalohet shprehimisht të shfaqin përkrahje ose kritikë ndaj partive politike, liderëve politikë, programeve partiake apo kandidatëve për poste publike.
Ky ndalim përfshin edhe pjesëmarrjen në sondazhe virtuale, shpërndarjen e drafteve të ligjeve me konotacion politik dhe përdorimin e simboleve politike në fotografinë e profilit.
Nuk lejohen komentet për lëndët aktive
Opinioni përcakton një kufi të prerë edhe sa i përket çështjeve gjyqësore.
Gjyqtarët nuk duhet të komentojnë, pëlqejnë apo shpërndajnë postime që lidhen me lëndë aktive para cilësdo gjykatë në Kosovë.
Ky kufizim shtrihet edhe te rastet e gjykuara së fundmi, kur procedura e ankimit është ende e mundshme, si dhe te çështjet ndërkombëtare që kanë ndikim apo ngjashmëri me kontekstin vendor.
Edhe jeta private duhet të jetë në përputhje me funksionin
Opinioni prek edhe mënyrën se si gjyqtarët paraqesin jetën e tyre private në rrjetet sociale.
Sipas dokumentit, nuk lejohen publikime të fotografive apo videove që paraqesin sjellje të pahijshme, konsumim të tepërt të alkoolit, pjesëmarrje në vende që konsiderohen të papërshtatshme me funksionin e gjyqtarit apo një stil luksoz jetese që nuk përkon me të ardhurat legjitime të tij.
Komiteti mbështetet edhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se gjyqtarët e gëzojnë lirinë e shprehjes, përfshirë edhe për çështje me interes publik.
Megjithatë, sipas Komitetit, funksioni i tyre kërkon vetëpërmbajtje në rastet kur mund të vihet në pikëpyetje autoriteti dhe paanshmëria e gjyqësorit.
Shkeljet mund të çojnë në procedurë disiplinore
Dokumenti nuk mbetet vetëm në nivelin e këshillave etike.
Sjellja e papërshtatshme në rrjetet sociale mund të prodhojë edhe pasoja disiplinore.
Komiteti thekson se shkelja e Kodit të Etikës Profesionale mund të shërbejë si bazë për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit.
Një detaj me rëndësi në Opinion është edhe paralajmërimi për gjurmët digjitale.
Fshirja e një postimi të papërshtatshëm, pasi ai ka marrë vëmendje publike ose pasi ka filluar hetimi, nuk e shkarkon gjyqtarin nga përgjegjësia etike.
Screenshot-et dhe arkivat e internetit mund të përdoren si prova në procedurën disiplinore.
Në përfundim, Komiteti përdor edhe një formulim veçanërisht të fortë për standardin që pret nga gjyqtarët në internet:
“Parimi i heshtjes virtuale dhe i vetëpërmbajtjes duhet të jetë rregulla e artë e çdo gjyqtari në Kosovë.”
Komiteti kërkon nga të gjithë gjyqtarët që të reflektojnë mbi praninë e tyre digjitale dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për t’i harmonizuar profilet e tyre me standardet e përcaktuara në Opinion.
Opinioni i plotë i Komitetit Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore mund të lexohet në dokumentin përkatës.
