Një dërgesë me ndihma humanitare e destinuar për shqiptarët në Luginën e Preshevës është kthyer mbrapsht në pikën doganore të Vranjës, sipas një deklarate të publikuar nga Zyra për Shqiptarët në Serbi.
Sipas deklaratës, ndihmat ishin organizuar me mbështetjen e donatorëve nga Suedia dhe me përkrahjen e kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Organizatorët pretendojnë se i gjithë dokumentacioni i nevojshëm ishte në rregull, por autoritetet doganore kërkuan dokumente shtesë, përfshirë një memorandum bashkëpunimi, që sipas tyre nuk parashihet me legjislacion.
Në reagim thuhet se, pavarësisht përpjekjeve për ta zgjidhur situatën përmes nënshkrimit të dokumenteve shtesë dhe ridrejtimit të ndihmave drejt Kosovës, autoritetet vazhduan të vendosnin pengesa të reja administrative.
Zyra për Shqiptarët në Serbi, duke iu referuar edhe qëndrimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, pretendon se bllokimi i ndihmave nuk lidhet me mungesën e dokumentacionit, por me faktin se ato ishin të destinuara për komunitetin shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas deklaratës, ky veprim përbën një pengesë për shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe ka shkaktuar reagime nga përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
