Ish-diplomati amerikan Daniel Serwer ka kritikuar ashpër punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se është penduar që e ka mbështetur themelimin e kësaj gjykate.
Serwer tha se fillimisht e kishte përkrahur Gjykatën Speciale me bindjen se ajo do të hetonte pretendimet për trafikim të organeve njerëzore, të ngritura në raportin e ish-senatorit zviceran Dick Marty.
Ai tha se, sipas tij, këto pretendime nuk janë mbështetur me prova. “Fakti i çështjes është që nuk janë gjetur asnjë lloj dëshmie apo fakti për të vërtetuar pretendimet për trafikim organesh”, deklaroi Serwer.
Sipas tij, problemi qëndron në faktin se gjykata, pasi nuk gjeti prova për këto pretendime, e zgjeroi mandatin e saj edhe në veprime të tjera të UÇK-së.
“Për mua, nëse krijon një gjykatë për të hetuar një pretendim, dy pretendime të caktuara, sigurisht që duhet të hetohen ato pretendime të caktuara. Kjo është bërë, nuk janë gjetur faktet, por pastaj kanë dalë diku tjetër. Për mua kjo nuk është legjitime”, tha ai.
Serwer kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar struktura komanduese e UÇK-së. Ai tha se UÇK-ja nuk ka pasur një zinxhir komandues të centralizuar, të ngjashëm me atë të forcave serbe.
“UÇK-ja sigurisht që ka qenë grup i paligjshëm në kuptimin e pushtetit të Serbisë, por kjo nuk është gjë për t’u marrë një tribunal ndërkombëtar”, u shpreh Serwer për rtk.
Ai tha se Gjykata Speciale, sipas vlerësimit të tij, është mbështetur shumë në informacione të siguruara nga Serbia, të cilat mund të kenë qenë të sakta ose të pasakta.
Serwer foli edhe për mundësinë e ndikimit politik në themelimin dhe funksionimin e gjykatës. Ai tha se është e vështirë të përcaktohet nëse ka pasur një qëllim politik nga ana amerikane, por theksoi se procesi ka pasur ndikim të madh politik në Kosovë.
Sipas tij, mbajtja e ish-krerëve të UÇK-së në paraburgim për më shumë se pesë vjet pa një verdikt përfundimtar është e papranueshme.
“Mbajtja në burg për pesë vjet me radhë pa dënim, pa verdikt gjyqësor, thjesht është e papranueshme”, tha Serwer.
“Sigurisht që s’kam si ta di, por sinqerisht shpresoj që të mos, çregullojë edhe më tutje gjendjen në Ballkan. Dhe besoj që ka potencial për të ndodhur kjo, sidomos kur e shohim Serbinë që bën atë nderimin për Mlladiçin dhe është gjë normale që viktimat e Mlladiçit dhe pastaj të Millosheviçit të reagojnë në mënyrë të kundërt, ose në drejtimin e kundërt. Është një bombë me sahat në njëfarë mënyre dhe nuk do të doja që kjo të ndikojë negativisht në perspektivën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO e pastaj edhe në BE”, tha tutje ai.
