Shqipe Pantina nga LDK-ja, në emisionin Forum në DTV Media, ka folur për Gjykatën Speciale, të cilën e cilësoi si një strukturë të përzier, pasi sipas saj, ajo nuk është as pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe as gjykatë ndërkombëtare.
Pantina tha se procesi i krijimit të kësaj gjykate dhe ndryshimet eventuale në funksionimin e saj nuk mund të bëhen në mënyrë të njëanshme nga Kuvendi i Kosovës, duke kujtuar se edhe themelimi i saj ishte rezultat i një procesi të veçantë.
Duke komentuar reagimet e fundit të Arbërie Nagavcit, Pantina vlerësoi se zhvillimet aktuale po ndodhin si rezultat i presionit.
Ajo theksoi se gjykatat duhet të jenë imune ndaj presioneve, ndërsa sipas saj, e vetmja gjë që duhet t’i udhëheqë ato janë ligjet.
Në këtë kontekst, Pantina shprehu dyshime lidhur me pavarësinë e Gjykatës Speciale, duke argumentuar se mënyra se si u krijua, sipas saj nën presionin e faktorëve të caktuar, ngre pikëpyetje për pavarësinë e saj.
