Shqipe Pantina nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në emisionin “Forum” në DTV Media, ka folur për kritikat e Bashkimit Evropian lidhur me ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë, duke kërkuar që shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë të trajtohen me seriozitet.
Pantina ka theksuar se Kosova nuk e ka ndërtuar shtetin e saj e vetme, por në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet e Bashkimit Evropian.
“Për mua është me rëndësi që çdo shqetësim i tyre duhet me e marrë fort seriozisht”, ka deklaruar Pantina.
Ajo ka sqaruar se nuk po kërkon që Qeveria dhe Kuvendi ta tërheqin ligjin, por që të ulen dhe të diskutojnë me përfaqësuesit e BE-së për shqetësimet e tyre, duke paraqitur argumentet e Kosovës.
Sipas saj, përmes dialogut dhe argumenteve, institucionet e Kosovës mund të arrijnë ta bindin Bashkimin Evropian se kanë vepruar drejt.
Megjithatë, Pantina ka shprehur pakënaqësi me mënyrën se si është vepruar deri më tani, duke vlerësuar se mungesa e një reagimi të dukshëm nuk e paraqet Kosovën si shtet serioz në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.
“Qysh është vepruar deri më tani, që nuk kemi pa ndonjë reagim, mendoj që në sytë e BE-së nuk na bën të dukemi fort serioz, por as në sytë e mi si qytetare e këtij vendi”, ka thënë ajo.
Pantina ka shtuar se kjo situatë mund të krijojë përshtypjen se ose ligji nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur, ose nuk po merren seriozisht shqetësimet e Bashkimit Evropian.
Ajo ka vlerësuar se në të dyja rastet kemi të bëjmë me një qasje të gabuar dhe se Qeveria, si organ përgjegjës për zbatimin e ligjit, duhet të ndërmarrë veprimet që kërkohen ose të nisë diskutimet me BE-në për të adresuar pengesat e mundshme.
