Analistja politike Shqipe Pantina ka folur për rastin e rëndë të vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, gjatë një diskutimi në emisionin “Forum” në DTV Media.
Pantina ka deklaruar se Arlinda kishte paralajmëruar se mund t’i rrezikohej jeta, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si janë trajtuar paralajmërimet dhe rrethanat që i paraprinë kësaj tragjedie.
Ajo ka vlerësuar se qytetarët kanë plotësisht të drejtë të jenë të mllefosur dhe të protestojnë, pasi, sipas saj, rasti i Arlindës nuk është i vetmi. Pantina ka rikujtuar se edhe më parë ka pasur viktima të tjera që kanë përjetuar situata të ngjashme.
Sipas saj, këto raste duhet të shërbejnë si alarm për institucionet, në mënyrë që të merren masa konkrete për mbrojtjen e grave dhe parandalimin e tragjedive të tilla.
Ndërkohë, vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime dhe protesta të qytetarëve, të cilët po kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.
Përveç kërkesës për drejtësi, protestuesit kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke kërkuar përgjegjësi politike për dështimet e pretenduara institucionale në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, ishte vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Tri ditë para vrasjes, ajo i kishte dërguar letër kryeprokurores së Pejës, duke paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj.
Po ashtu, janë suspenduar kryeprokurorja, prokurorja e rastit dhe 11 zyrtarë policorë. Më 30 tetor, dha dorëheqje edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ndërsa Sveçla dhe Gërvalla kanë deklaruar se nuk do të dorëhiqen.
