Gjyqi mes titanëve të teknologjisë, Elon Musk dhe Sam Altman, ka nxjerrë në pah disa nga pjesët më të rrëmujshme të ngritjes së OpenAI. Procesi ka hyrë të hënën në javën e trtë, duke sjellë dëshmi lidhur me të kaluarën dhe udhëheqjen.
Avokatët e Musk kanë ‘përdorur’ ish-drejtues, mesazhe private, shënime ditari dhe shkëmbime të brendshme emailesh për ta paraqitur Altmanin si të pabesueshëm.
Altman, i cili i mohon akuzat e Musk, pritet të dëshmojë në ditët në vijim, raporton The Guardian.
Megjithëse çështja e Musk bazohet në akuzat se OpenAI dhe Altman kanë shkelur një marrëveshje themeluese duke e kthyer kompaninë nga një organizatë jofitimprurëse në një strukturë fitimprurëse, gjyqi shpesh ka dhënë përshtypjen e një beteje për marrëdhënie publike më shumë sesa një debati për qeverisjen korporative.
Udhëheqja dhe besueshmëria e Altmanit kanë qenë prej kohësh objekt shqyrtimi në industrinë e teknologjisë dhe janë dokumentuar gjerësisht, përfshirë një artikull të fundit në revistën The New Yorker, ku figura të tjera të teknologjisë sugjeronin se Altman kishte prirje mashtruese.
Ish-aleatët e Altman e quajnë atë të pabesueshëm
Në gjykatë javën e kaluar, juria dëgjoi dëshminë me video të Mira Muratit, ish-drejtoreshës së teknologjisë në OpenAI dhe dikur një bashkëpunëtore shumë e afërt e Altmanit, në të cilën ajo e akuzoi atë për “krijimin e kaosit” në kompani.
Murati, e cila u largua nga OpenAI në vitin 2024, dëshmoi se Altman kishte një model sjelljeje ku “i thoshte një gjë një personi dhe krejt të kundërtën një tjetri”, transmeton Klankosova.tv
Gjykata pa gjithashtu mesazhe tekstuale nga Altman drejtuar Muratit në vitin 2023, gjatë një periudhe të shkurtër kur bordi i OpenAI e shkarkoi atë nga posti i CEO-s, duke e akuzuar se kishte qenë mashtrues në sjelljen e tij.
Përpara se të rikthehej në detyrë pesë ditë më vonë, mes një lufte të brendshme për pushtet, Altman i dërgoi Muratit një seri pyetjesh rreth mënyrës se si bordi po vendoste për fatin e tij. Ajo i përshkroi një të ardhme shumë ndryshe nga ajo që do të ndodhte më pas, ku Altman do të përjashtohej përgjithmonë.
“A mund të tregosh në mënyrë të përgjithshme nëse është mirë apo keq?” i shkroi Altman Muratit për perspektivat e tij.
“Në përgjithësi, shumë keq,” u përgjigj Murati.
“Ok,” ia ktheu Altman.
Murati ishte një nga disa dëshmitarët që folën për sjelljen personale dhe profesionale të Altmanit, raporton Klankosova.tv
Ish-anëtarja e bordit Helen Toner, e cila mbështeti largimin e Altmanit, deklaroi përmes videos se ekzistonte “një model sjelljeje që lidhej me ndershmërinë dhe sinqeritetin e tij”, gjë që çoi në shkarkimin e tij.
Ndërsa Natasha McCauley, një tjetër ish-anëtare e bordit të OpenAI, pretendoi në dëshminë e saj se Altman kishte shkaktuar “kriza të përsëritura” përmes mënyrës së tij të drejtimit.
Avokatët e Musk të hënën thirrën gjithashtu në dëshmi bashkëthemeluesin e OpenAI dhe ish-shefin shkencor Ilya Sutskever. Sutskever, i cili ishte gjithashtu anëtar i bordit që shkarkoi Altmanin dhe u largua nga OpenAI në vitin 2024, deklaroi se kishte pasur shqetësime për mënyrën se si ai e drejtonte kompaninë dhe për vërtetësinë e tij.
