Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi të dyshuar për mashtrim, i cili dyshohet se është prezantuar rrejshëm si punonjës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke u kërkuar qytetarëve shuma të ndryshme parash në këmbim të punësimit në këtë institucion.
Sipas njoftimit të Policisë, i arrestuari është D.N., i cili dyshohet se nga fillimi i vitit 2025 e deri në raportimin e rastit, ishte paraqitur rrejshëm si punonjës i AKI-së, me pretendimin se mund të siguronte punësim në këtë agjenci kundrejt pagesës.
Rasti ishte raportuar në tetor të këtij viti, ndërsa hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kishin ndërmarrë veprime hetimore për zbardhjen e tij.
Pas veprimeve të nevojshme hetimore dhe sigurimit të provave e dëshmive, më 21 tetor 2026 është arrestuar personi i dyshuar D.N.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përkatëse, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe hetimin e veprave penale, si dhe në mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet dhe keqpërdorimi i besimit të tyre.
Në fund, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj personave që pretendojnë se mundësojnë punësim në institucione publike në këmbim të parave, si dhe që rastet e tilla t’i raportojnë në Policinë e Kosovës.
