Gjyqtari Sabit Sadikaj tha se të pandehurit Fitore Pacolli Dalipi dhe Salih Zyba e kanë njoftuar Gjykatën për mosprezencën e tyre në Gjykatë, ndërsa për të pandehurën Drita Millaku gjyqtari tha se nuk ka dëshmi se e njëjta e ka pranuar ftesën.
Gjyqtari Sadikaj njoftoi se për tre të pandehurit do të lëshohet ftesë dhe urdhëresë për sjellje me detyrim.
“I pandehuri Salih Zyba e ka informuar gjykatën se e ka pranuar ftesë për seancë plenare. Sot Gjykata është njoftuar edhe nga asistenti i të pandehurës Fitore Pacolli-Dalipi se e njëjta ka marrë ftesë për seancë plenare. E për të pandehurën Drita Millaku, ftesa i ka shkuar, por nuk ka dëshmi se e ka pranuar. Ndaj të pandehurve do të lëshohet ftesë dhe urdhëresë për sjellje me detyrim, ndërsa mbrojtësit e të pandehurve do të ftohen në mënyrë të rregullt, që ndaj të cilëve Gjykata ka dëshmi se i ka ftuar në mënyrë të rregullt, por nuk ka dëshmi se e kanë pranuar ftesën”, ka thënë Sadikaj.
Në seancën e 16 janarit të këtij viti, Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj Xhelal Sveçlës, i cili mungoi në seancë, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit.
Sipas aktakuzës, e cila është ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Në aktakuzë thuhet se të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
