Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit, e ka shpërblyer me rreth 100 mijë euro dhëndrin e sekretares së përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku.
Edon Cana, një ish-kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Komunës së Rahovecit në zgjedhjet lokale të vitit 2025, është shpallur fitues i një tender nga Komuna e Prizrenit.
Cana, dhëndër i Vlora Çitakut, ka fituar tenderin me titull “Shërbime konsulente individuale – Këshilltar për investime strategjike dhe koordinim të projekteve në drejtorin e Administratës”, në vlerë prej 98 mijë e 496 eurove, për 36 muaj, apo përafërsisht 2 mijë e 700 euro në muaj.
Sipas dosjes së tenderit, qëllimi i këtij tenderi është ofrimi i mbështetjes profesionale për Komunën e Prizrenit në sigurimin, koordinimin dhe menaxhimin e fondeve të jashtme, përfshirë fondet e Bashkimit Evropioan dhe financimet nga institucionet financiare dhe zhvillimore ndërkombëtare.
“Ky angazhim synon të rrisë kapacitetet institucionale të Komunës për identifikimin, aplikimin dhe implementimin e projekteve zhvillomore, si dhe të forcojë bashkëpunimin me donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë, në përputhje me prioritetet strategjike të zhvillimit komunal”– thuhet ndër të tjera në dosje të tenderit.
Vendimi që Edon Cana të jetë fitues i këtij tenderi është marrë më datë 30.07.2026, ndërsa në këtë tender kishte aplikuar vetëm ai.
Vetë Cana e ka mohuar që partia e tij të ketë ndikuar që ai ta fitojë këtë tender, ndërsa ka thënë se ka plotësuar kriteret që ishin paraparë në dosjen e tenderit.
“Thirrja ka qenë publike, ju mundeni me pa aty, edhe tregon se cilat janë ato kriteret, edhe detyrat, edhe përgjegjësitë që duhet me i ofru. Unë kam qenë kryeshef i Agjencionit për Koordinim të Zhvillimit dhe të Intergrimit evropian. Në vitin 2008 kur është mbajtë konferenca e donatorëve, unë kam koordinuar 1.2 miliardë euro në emër të Qeverisë, edhe me projekte të prekshme dhe të matshme. Aty çka ka pasur kritere publike unë jam marr me ato dhe jam përzgjedhë”– kishte thënë Cana për Kallxo.
“Absolut asnjë lidhje (me partinë). Absolut asnjë lidhje. Shiko në CV-në, prapë po them kam qenë kryeshef i Agjencionit, kam qenë përfaqësues i Kosovës në kornizën investuese të Ballkanit Perëndimor, kam punu me BERZH-in. Kam qenë koordinator i IPA-s, para anëtarësimit domethënë i fondeve të BE-së për Kosovën. Kam qenë përfaqësues i Kosovës në RCC, kam qenë anëtar i bordit të Bankës Zhvillimore për pesë vite në Paris. Unë jam marrë me këto punë. Po dua me thënë që kjo nuk është… a din kam parë disa tendenca me e politizu këtë, por nuk ka”, ka thënë ai.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2025, Edon Cana si kandidat i PDK-së për kryetar të Rahovecit ishte renditur i katërti me 15.31% të votave, pas Smajl Latifit të Aleancës, Ali Dulës së Vetëvendosjes dhe Burim Krasniqit të LDK-së.
