Kreshnik Smajlaj, kryetar i degës së AAK’së në Prishtinë, ka reaguar pas vdekjes së një punëtori të moshës së re në një vendpunishte në Rrugën A.
Smajlaj, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të riut që humbi jetën në vendin e punës, si dhe uroi shërim të shpejt për punëtorin tjetër të lënduar.
“E gjithë kjo situatë shqetësuese, në vend se të shërbejë si moment reflektimi dhe uniteti për të rritur sigurinë, po përdoret si arenë për akuza, kundërakuza dhe përplasje politike mes niveleve të pushtetit. E dhimbshme të shohësh që edhe këto tragjedi janë bërë subjekt i luftës politike në Kosovë”, ka thënë Smajlaj.
Ai ka thënë se s’është koha që të bëhet me gisht kush e ka fajin, por është koha që të bashkohen dhe të punojnë me urgjencë për parandalimin e rasteve të rënda.
“Duhet t’i lëmë anash ndasitë partiake dhe të bashkohemi rreth një qëllimi: krijimit të një mjedisi të sigurt ku prindi, djali apo vajza nisen për punë dhe kthehen shëndosh e mirë në shtëpi. Siguria e punëtorëve dhe e qytetarëve tanë duhet të jetë prioritet mbi çdo interes tjetër”, ka thënë më tej kryetari i AAK’së në Prishtinë.
