Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko ka deklaruar se në Kosovë ende ekzistojnë shumë varreza masive të pazbuluara, të cilat, sipas saj, dëshmojnë për përmasat e krimeve të kryera gjatë luftës.
Biserko tha se çdo zbulim i një varreze të re rikthen çështjen e përgjegjësisë së shtetit serb, për të cilin ajo pretendon se nuk është përballur asnjëherë plotësisht me të kaluarën e tij.
“Ende ka shumë varreza të cilat nuk janë zbuluar, dhe të cilat janë treguese në masivitetin e krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë, por po ashtu në Bosnje dhe Kroaci. Prandaj çdo zbulim i një varreze të re e hap çështjen e përgjegjësisë së Serbisë, e cila kurrë nuk është përballur me këtë çështje. Kjo përkundër faktit që Tribunali i Hagës për Jugosllavinë i dënoi krerët ushtarak e politik të Serbisë, pikërisht për shkak të krimeve në Kosovë”.
“Për fat të keq gjykata për krime lufte në Serbi nuk e vazhdoi ti gjykoj ata që kishin pozitë më të ulët sepse për këtë ishte themeluar. Dhe kështu kjo gjykatë pushoi së punuari dhe që të merret me efikasitet ndaj njerëzve të ndryshëm që kanë kryer krime. Siç është rasti me Brigadën e Motorizuar 37 të cilën e kishte udhëhequr Lubisha Dikoviq, që më vonë u promovua në Shef të Shtabit të Përgjithshëm”, deklaroi ajo.
Biserko ka folur edhe për rastin e një personi nga Istogu, i cili sipas saj ka treguar vendndodhjen e një varri në Zubin Potok dhe më pas është arrestuar nga BIA.
“Kjo ndodhi edhe pse Fondi për të Drejtën Humanitare këtu ngriti padi penale ndaj tij me shumë të dhëna dhe referenca që tregojnë për përgjegjësinë e Dikoviqit për shumë krime lufte të kryera në Kosovë. E dini si është puna këtu te ne, interpretimi zyrtar i asaj që ndodhi në Kosovë, Bosnjë e Kroaci, pra në gjithë procesin e rënies së Jugosllavisë është se këtu thuhet se “Serbia e serbët janë viktima më e mëdhat”. Kjo është një far teze që gjerësisht është pranuar e promovuar jo vetëm nga elitat politike, por edhe nga ato kulturore, fetare e të tjera”.
Ajo ka krahasuar këtë me rastin në Bosnje, ku një dëshmitar serb kishte treguar për një varrezë masive me rreth 1 mijë viktima në Tomashicë.
“Kështu që ky është një qëndrim i vendosur i shumicës së qytetarëve, në vend se të merren me përgjegjësinë e shtetit serb rreth asaj që ka ndodhur në Kosovë. Në këtë kuptim, secili që dëshmon për përgjegjësinë e Serbisë në këtë rast, kalon nëpër vështirësi të mëdha. Në rastin e presonit të arrestuar nga BIA, e që është nga Istogu, bëhet fjalë për një burrë që ka treguar se ku ndodhet varri në Zubin Potok. E kemi rastin në Bosnjë kur një serb ka treguar për vendndodhjen e një varreze masive me 1000 viktima në Tomashicë”.
Biserko ka rikujtuar se gjatë luftës në Kosovë, sipas saj, mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u larguan drejt vendeve fqinje, ndërsa shumë prej tyre u përballën edhe me shkatërrimin e dokumenteve personale.
“Kështu që personat e tillë më vonë janë përballur me maltretime, ngacmime e gjëra të tilla. Është shumë e guximshme nëse ky person e ka zbuluar këtë varrezë. Sepse sa më shumë që koha kalon njerëzit nuk mund ta mbajnë barrën kur kanë njohuri për këto ngjarje, dhe herë do kur, ata flasin për këtë histori. Pushteti aktual në Serbi ka qenë pjesë e atij pushtetit që ka kryer krime në Kosovë, pra ata janë pjesë e atij projekti. Të ju kujtoj që rishtazi një ministre e qeverisë në Beograd, anëtare e partisë SPS , deklaroi se po të ishte ajo në vend të Millosheviqit, do ta spastronte Kosovën nga shqiptarët”.
“Prandaj është fakt që Millosheviqi edhe ka tentuar ta jetësoj këtë spastrim etnik, duke i përndjekur nga Kosova, mbi 800.000 shqiptarë të cilët shkuan në Mal të Zi, Shqipëri, e Maqedoni. Shumicës së këtyre njerëzve u janë shkatërruar dokumentet personale në mënyrë që të mos kenë dëshmi kur ata do të ktheheshin në Kosovë. Pa intervenimin e NATO-s këta njerëz zor se do të ktheheshin”.
Sipas saj, është e vështirë të pritet që të pranohet hapja e arkivave ushtarake, pasi ato mund të zbardhin përgjegjësi për krimet e kryera në Kosovë dhe siç u shpreh, në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë.
“Një gjë duhet pasur parasysh krimet e luftës në Kosovë, nuk i kanë kryer vetëm formacionet para ushtarake, por edhe ushtria ka qenë direkt pjesëmarrëse në këto krime. Në këtë kuptim hapja e arkivave ushtarake, në fakt vije te përgjegjësia e ushtrisë së Jugosllavisë. Vështirë se ata do t’i përgjigjen kërkesës së Prishtinës për të hapur arkivat e tyre. Sepse nëse hapen arkivat atëherë do të jetë lehtë identifikohen ata që ishin pjesë e krimeve në Kosovë dhe në pjesë të madhe në Kroaci”, deklaroi Biserko.