Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklarimeve të bashkëpartiakëve të tij për ndërrim të udhëheqjes të partisë.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha mbrëmë se do të garojë për kryetare të partisë në zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkohë, deputeti Avdullah Hoti tha se propozim i tij është që në krye të partisë të vijë Kujtim Shala, ndërsa Hykmete Bajrami të jetë kandidate për kryeministre e kësaj partie.
Sot, pa përmendur emra, Abdixhiku ka kritikuar deputetët që kanë dalë kundër qëndrimit të tij, duke thënë se pas këtyre përplasjeve qëndrojnë ambicie për kreun e LDK-së.
“S’rrotullohet shteti për një ambicie. Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se LDK-ja dikur është karakterizuar nga një klasë politike që, sipas tij, e ka vendosur shtetin para interesave personale.
“LDK njihet ndryshe. Me klasë politike që dikur jepte gjithçka për shtetin, jo me të atillë që do ta japë shtetin për vete”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka reaguar ashpër ndaj kundërshtarëve të tij brenda partisë.
“Zot, fali, kaq dinë; se populli s’ka për t’i falur!”, shkroi ai
Sot, deputeti Avdullah Hoti, ka kërkuar mbajtjen e një konvente të madhe të partisë, përmes së cilës, sipas tij, do të duhej të arrihej pajtimi dhe bashkimi i strukturave të LDK-së.
