Studentët serbë në bllokadë kanë publikuar Memorandumin për Kosovën, të cilin e kanë shpallur si qëndrimin e tyre zyrtar politik dhe shoqëror. Dokumenti u prezantua fillimisht në një tribunë në Kragujevc, kushtuar mbështetjes për Universitetin ilegal në Mitrovicë.
Në memorandum thuhet se Kosova është “pjesë e patjetërsueshme dhe përbërëse e Serbisë”, duke e cilësuar këtë jo vetëm si çështje juridike, por edhe si “imperativ historik dhe moral”. Studentët theksojnë se ruajtja e rendit kushtetues serb në Kosovë është thelbësore për mbijetesën e shtetit dhe për paqen në rajon.
Dokumenti e përshkruan Kosovën edhe si “element kyç të identitetit kombëtar serb”, duke theksuar se ajo “përfaqëson burimin historik, kulturor dhe shpirtëror të kombit”. Sipas tyre, pa Kosovën “kodi kulturor dhe historik serb humb kuptimin e tij”,.
Në vazhdim përcjellim memorandumin në tërësi, në formën e tij origjinale:
“Kosova dhe Metohia përbëjnë pjesë të patjetërsueshme dhe përbërëse të Republikës së Serbisë, si në kuptimin juridik, ashtu edhe në atë historik dhe moral. Statusi i tyre nuk mund të jetë objekt negociatash mbi thelbin, sepse bazohet në Kushtetutën e Republikës së Serbisë, të drejtën ndërkombëtare dhe vazhdimësinë historike të shtetësisë.
Kosova dhe Metohia nuk janë vetëm çështje territoriale, por një komponent kyç i identitetit kombëtar të popullit serb. Në atë hapësirë janë themeluar vlerat historike, kulturore dhe shpirtërore që përbëjnë bazën e qenies kombëtare. Pa Kosovën dhe Metohinë, kodi kulturor dhe historik i popullit serb humb burimin dhe kuptimin e tij.
Ruajtja e rendit kushtetues të Republikës së Serbisë në territorin e Kosovës dhe Metohisë përbën themelin e mbijetesës së shtetit dhe garanci për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në rajon. Çdo zgjidhje që do të ishte në kundërshtim me këto parime nuk mund të konsiderohet legjitime apo e qëndrueshme.
Njëkohësisht, çështja e Kosovës dhe Metohisë nuk mund të zgjidhet e izoluar nga konteksti më i gjerë ndërkombëtar. Republika e Serbisë duhet të marrë pjesë aktivisht dhe në mënyrë konstruktive në proceset ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me organizatat dhe partnerët relevantë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare.
Një zgjidhje e tillë duhet të sigurojë paqe, siguri dhe mbrojtje të plotë të të drejtave për të gjithë ata që jetojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë.
Çështja e Kosovës dhe Metohisë nuk ka të bëjë ekskluzivisht me institucionet politike, por me çdo qytetar të Republikës së Serbisë. Lidhja me këtë hapësirë nuk buron vetëm nga shtetësia formale, por nga marrëdhënia thelbësore ndaj historisë, kulturës dhe identitetit.
Për këtë arsye, përgjegjësia për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë është e përbashkët dhe nënkupton pjesëmarrje aktive në mbrojtjen e trashëgimisë shpirtërore, kulturore dhe historike”.

