Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 1 vjet e pesë muaj burgim ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në disa pika në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Aktgjykimi është shpallur sot, nga gjykatësi Christopher Gosnell, në seancën e mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në këtë proces gjyqësor, krahas Thaçit, janë akuzuar edhe ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2023, Thaçi dyshohej se kishte ndarë informacione konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë me disa prej personave që e kishin vizituar në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Prokuroria pretendonte se këto veprime kishin për qëllim ndikimin në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë deklaratave përmbyllëse, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar dënimin e Thaçit me 6 vjet burgim. Për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun kishte kërkuar nga 3 vjet burgim, ndërsa për Hajredin Kuçin 9 muaj.
Në anën tjetër, mbrojtja e Thaçit kishte kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke argumentuar se nuk ishin paraqitur prova të mjaftueshme për ta shpallur fajtor.
Gjykimi në këtë rast kishte nisur më 27 shkurt 2026, ndërsa deklaratat përmbyllëse ishin mbajtur në shtator.
Ky proces është i ndarë nga çështja gjyqësore për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së



















