16-vjeçari Tahir Ajeti po përballet me një nga sfidat më të mëdha të jetës së tij, pasi një aksident i rëndë trafiku ia ndryshoi përgjithmonë jetën.
Tahiri, i lindur në vitin 2009 në Kosovë, është goditur nga një veturë në qershor të vitit 2025, duke pësuar lëndime shumë të rënda në këmbën e majtë.
Pas pesë operacioneve të kryera në QKUK, mjekët kanë rekomanduar trajtim jashtë vendit për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Në dhjetor të vitit 2025, ai është pranuar për trajtim në spitalin “Uniklinik Bonn” në Gjermani, ku deri më tani ka kaluar edhe gjashtë operacione të tjera të vështira.
Sipas familjes, për shkak të një infeksioni të rëndë në kockë, Tahirit aktualisht i mungojnë rreth 10 centimetra kockë në tibian e këmbës së majtë. Fatkeqësisht, infeksioni është rikthyer sërish dhe mjekët kanë paralajmëruar se do të nevojiten edhe disa ndërhyrje të tjera kirurgjikale për ta shpëtuar këmbën dhe për t’i dhënë mundësinë të ecë përsëri.
Deri tani, të gjitha shpenzimet e trajtimit janë mbuluar falë ndihmës së familjarëve, miqve dhe njerëzve bamirës, por kostot janë bërë tepër të larta dhe familja nuk ka më mundësi t’i përballojë e vetme.
Me anë të një thirrjeje publike, Tahiri kërkon ndihmën e të gjithë qytetarëve, duke bërë apel për mbështetje financiare, shpërndarje të rastit dhe lutje.
“Ju lutem, më ndihmoni të rikthehem në jetë dhe të kem mundësinë të ec përsëri”, thuhet në mesazhin e tij prekës.

