Një ngjarje e rëndë është raportuar mëngjesin e sotëm në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku në një shtëpi janë gjetur dy persona pa shenja jete, një burrë dhe një foshnjë.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili bëri të ditur se informacioni është pranuar rreth orës 08:47.
Sipas Hashanit, njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e të dy personave.
Viktima mashkull ishte i vitlindjes 1999, ndërsa personi tjetër i pajetë ishte foshnjë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa Policia, në koordinim me Prokurorinë, është duke ndërmarrë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
