Ka ndërruar jetë 25-vjeçari Alban Xhemajli, i cili ishte lënduar rëndë në aksidentin e trafikut të ndodhur më 1 gusht në fshatin Raushiq (Ramun) të Pejës.
I riu ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), mirëpo nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Vdekja e tij është konfirmuar rreth orës 01:10 të mëngjesit të 7 gushtit.
Aksidenti kishte ndodhur pasi drejtuesi 52-vjeçar i një veture dyshohet se kishte bërë një kthim të pasigurt, duke ia ndërprerë rrugën motoçiklistit, i cili po lëvizte në të njëjtin drejtim.
Si pasojë e përplasjes, shtatë persona kishin pësuar lëndime trupore. Më së rëndi ishte lënduar motoçiklisti 25-vjeçar, i cili që nga dita e aksidentit ndodhej në gjendje kritike.
Pas vdekjes së 25-vjeçarit, rasti është rikualifikuar si aksident trafiku me fatalitet, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë duke vazhduar.
