Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të ndara të armëmbajtjes pa autorizim gjatë 24 orëve të fundit në Podujevë, Fushë Kosovë dhe Prishtinë.
Gjatë këtyre rasteve janë konfiskuar armë zjarri, municion, një elektroshok dhe një thikë, ndërsa personat e dyshuar janë proceduar sipas vendimeve të prokurorëve kompetentë.
Rasti i parë është regjistruar më 6 gusht 2026, rreth orës 13:20, në fshatin Bradash të Podujevës.
Policia ka arrestuar një të dyshuar, mashkull kosovar, pasi gjatë kontrollit tek ai janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, dy karikatorë, 17 fishekë dhe një thikë.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Fsh.Bradash, Podujevë 06.08.2026-13:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri pistoletë, dy karikatorë, 17 fishekë dhe një thikë. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
Një rast tjetër është shënuar rreth orës 19:45 në fshatin Sllatinë e Madhe të Fushë Kosovës, ku policia ka ndaluar një shtetas të Serbisë.
Gjatë kontrollit, tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një elektroshok i firmës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
“Fsh.Sllatinë e Madhe, Fushë Kosovë 06.08.2026 – 19:45. Është ndaluar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë, gjatë kontrollimit tek personi i dyshuar është gjetur dhe konfiskuar një elektroshok i firmës. Pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Ndërkohë, rreth orës 22:10, në rrugën “Ejup Statovci” në Prishtinë, policia ka ndërhyrë pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.
Në vendin e ngjarjes janë identifikuar dhe ndaluar dy të dyshuar, meshkuj kosovarë, të cilët kanë pranuar se kanë shtënë me armë zjarri.
Gjatë kontrollit, policia ka konfiskuar një armë automatike AK-47, një pistoletë, 40 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 14 fishekë të kalibrit 9 mm, si dhe 19 gëzhoja.
“Rr. Ejup Statovci, Prishtinë 06.08.2026 – 22:10. Në një aheng dasme raportohet për të shtëna me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë identifikuar dhe ndaluar dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët kanë pranuar se kanë gjuajtur me armë zjarri. Në vendin ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar: një armë AK-47, një pistoletë, 40 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 14 fishekë të kalibrit 9 mm si dhe 19 gëzhoja. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të Prokurorit lirohen në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.
