Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur sot në selinë e KFOR-it në Kampin “Film City” në Prishtinë shefin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Yunus Emre.
Sipas njoftimit, takimi shërbeu si mundësi për shkëmbim pikëpamjesh lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe për të theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët.
KFOR ka ritheksuar se vazhdon zbatimin e mandatit të tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të garantuar siguri dhe liri të lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë. Misioni bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
