Ushtarët e angazhuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-E), pjesë e misionit të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), kanë zhvilluar trajnim për evakuim mjekësor me helikopter (hoist training) brenda zonës së përgjegjësisë së RC-E përgjatë Vijës Kufitare Administrative (ABL).
Sipas njoftimit të KFOR-it, trajnimi ka përfshirë personel tokësor dhe asete ajrore, me qëllim rritjen e aftësisë për nxjerrjen dhe evakuimin e shpejtë të të lënduarve në terrene të vështira.
“Trajnimi integroi personelin tokësor dhe asetet ajrore, duke përmirësuar aftësinë për nxjerrjen dhe evakuimin e shpejtë të të lënduarve në terrene komplekse. Përmes aktiviteteve të fokusuara në skenarë emergjentë, personeli i KFOR-it forcon gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes forcave shumëkombëshe, mban një nivel të lartë të vetëdijes për situatën dhe demonstron përkushtimin e vazhdueshëm të misionit për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

