Kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar ashpër pas ceremonisë së varrimit të Ratko Mlladiçit, duke akuzuar presidentin serb Aleksander Vuçiq për mbështetje ndaj krimeve të luftës dhe gjenocidit në Bosnje.
Në një postim në Facebook, Berisha e cilëson ceremoninë si një “sfidë ndaj qytetërimit” dhe akuzon Vuçiqin se, përmes nderimeve shtetërore dhe pjesëmarrjes së gjerë në ceremoninë mortore, po dëshmon një qëndrim të rrezikshëm ndaj krimeve të kryera gjatë luftës në Bosnje.
“Mbështetja e hapur për gjenocidin nga Vuçiç, sfidë ndaj qytetërimit!
Postimi i tij i plotë:
Të dashur miq,
Dje, me urdhër të presidentit të Serbisë së Madhe, Aleksandër Vuçiç, u varros me nderime të larta shtetërore e kishëtare dhe me pjesëmarrjen e mijëra e mijëra qytetarëve monstra e Bosnjës, gjenerali famëkeq Ratko Mladiç.
Me këtë akt të shëmtuar dhe çnjerëzor, presidenti i Serbisë së Madhe, Vuçiç, ish-idthar i flaktë i gjeneralit gjakatar dhe iniciator i nismës “Shtëpia për Ratkon” për ta fshehur atë nga drejtësia ndërkombëtare, dëshmon se për të dhe elitën e Beogradit gjenocidi ndaj një kombi tjetër, krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit janë nder dhe lavdi.
Ky akt është një vrasje dhe masakrim për së dyti i viktimave të Ratko Mlladiçit, është dëshmi e moralit kriminal të nacionalizmit serb dhe një sfidë e hapur për botën e qytetëruar. Gjithashtu, ky akt është dëshmi e pakontestueshme se Serbia e nderimit dhe lavdërimit të gjenocidit më të egër në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore vazhdon të mbetet një kërcënim madhor për fqinjët e saj, paqen dhe stabilitetin në rajon“, shkruan Berisha.
