Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vdekjes së zyrtarit policor në detyrë në Vërmicë, i cili u aksidentua nga një veturë.
Sipas Sindikatës, ky rast kthen vëmendjen tek nevoja urgjente për sigurim jetësor dhe shëndetësor për policët.
“Sot, në një aksident tragjik gjatë orarit të punës, ka humbur jetën një zyrtar i Policisë së Kosovës. Ky rast i rëndë dëshmon edhe një herë rrezikun e madh me të cilin përballen çdo ditë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në shërbim të qytetarëve dhe rendit publik. Humbja e jetës së një polici në krye të detyrës e rikthen edhe një herë në vëmendje nevojën urgjente për trajtimin e çështjeve jetike për zyrtarët policorë, veçanërisht sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor. Policia e Kosovës kryen detyra me përgjegjësi të lartë dhe shpesh në kushte me rrezik të shtuar për jetën dhe shëndetin e tyre”, njofton Sindikata.
Sindikata u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që sa më parë të ndërmarrin masa konkrete për zgjidhjen e këtyre çështjeve, me qëllim që zyrtarëve policorë t’u garantohet mbrojtja dhe përkrahja që meritojnë.
“Shprehim edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit, kolegët e tij dhe gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës për këtë humbje të rëndë në krye të detyrës”, thuhet në komunikatë.
