Vëllai i të ndjerës Gjyljeta Ukella, Shpat Ukella, ka folur sot para Gjykatës Supreme në seancën ndaj Edmond Lajqit, i cili është dënuar në shkallën e parë dhe të dytë me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Gjatë deklarimit të tij, Shpat Ukella tha se familja vazhdon ta përjetojë çdo ditë dhimbjen e humbjes së Gjyljetës, ndërsa kërkoi që dënimi me burgim të përjetshëm të mbetet në fuqi.
“Pajtohem me avokaten. Kisha dashtë me i thanë dy fjalë sa i përket ankesës. Sipas ankesës së avokatit të palës, ai po del krejt i pafajshëm. Ne çdo ditë si familje përballemi me vdekjen e Gjyljetës. Çdo ditë i shohim tre fëmijët e saj duke u rritur te ne dhe çdo ditë e vuajmë atë që ka ndodh”, u shpreh ai.
Rasti ka të bëjë me ngjarjen tragjike të 16 prillit 2024 në Pejë, ku sipas aktakuzës, Edmond Lajqi akuzohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, Gjyljeta Ukella.
