Policia në Ferizaj ka njoftuar se ka gjobitur tre shoferë për shkelje të rregullave të komunikacionit.
Në njoftimin e PK’së, thuhet se në fshatin Rakaj të Ferizajt ka ndaluar shoferin N.B. që po voziste me shpejtësi 161 km në orë në zonën ku kufizimi i shpejtësisë ishte 50 km në orë.
“Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, në rrugën magjistrale në fshatin Rakaj, ka ndaluar një automjet të tipit Audi me targa të huaja. Gjatë kontrollit është konstatuar se shoferi me inicialet N.B. (28 vjeç) po drejtonte automjetin me shpejtësi 161 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar është 50 km/h”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se të njëjtit i është shqiptuar gjoba prej 500 eurove, pesë pike negative dhe ndalimi i vozitjes së mjetit motorik për gjysmë viti.
“Ndërkaq, Njësia Policore e Stacionit në Ferizaj i ka shqiptuar shoferit me inicialet D.Ç. (23 vjeç) masën mbrojtëse heqje e patentë-shoferit për 12 muaj, pasi në periudhën 26.08.2025 – 09.06.2026, si pasojë e disa kundërvajtjeve të rënda në trafik, ka grumbulluar 10 pikë negative”, thuhet në njoftim më tej.
“Po ashtu, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, ka ndaluar një automjet të tipit Opel Vivaro me targa vendore, pasi shoferi me inicialet A.H. (23 vjeç) kishte tejkaluar në vijë të plotë dhe në vendkalim për këmbësorë, duke rrezikuar sigurinë e tyre”, vijon njoftimi.
