Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadë të qëllimshme të procesit institucional, duke thënë se një qasje e tillë po e dëmton Kosovën dhe po e thellon polarizimin në shoqëri.
Zemaj ka kritikuar edhe heshtjen e lidershipit të partisë së tij lidhur me situatën e krijuar.
Sipas tij, shumica parlamentare e ka për obligim ta thërrasë seancën dhe t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja, në respektim të Kushtetutës dhe vullnetit politik të qytetarëve.
Zemaj ka thënë se marrëveshjet politike nuk mund të arrihen përmes bllokadës dhe presionit, ndërsa ka pasur një porosi edhe për lidershipin e LDK-së.
Postimi i plotë:
Bllokada e qëllimshme nga VV.
Bllokada e qëllimshme sjell tension, dëmton edhe më shumë imazhin e brishtë të Kosovës dhe thellon polarizimin në shoqërinë tonë.
Ky mentalitet i stërvjetëruar nuk i duhet Kosovës. Shumica e ka obligim të thërrasë seancën dhe t’i japë hapësirë krijimit të institucioneve të reja, në respekt të Kushtetutës dhe vullnetit politik të qytetarëve.
Marrëveshjet politike nuk arrihen përmes bllokadës, presionit dhe tendencës për t’i nënshtruar të tjerët. Demokracia kërkon dialog, përgjegjësi dhe respekt të ndërsjellë.
Ata që heshtin dhe pranojnë këtë lloj politike, nuk ia duan të mirën as LDK-së e më së paku Kosovës.
