Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka ritheksuar se angazhimi i Aleancës për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovo mbetet i palëkundur.
Në një intervistë për RTK, Shekerinska tha se NATO vlerëson bashkëpunimin me institucionet e sigurisë në Kosovë dhe se ky bashkëpunim ka ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve, njohurive dhe ekspertizës vendore.
Ajo theksoi se Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO-n dhe se aleatët mbeten të fokusuar në ruajtjen e stabilitetit në rajon.
Duke folur për misionin e KFOR-it, Shekerinska kujtoi se pas incidenteve të vitit 2023, NATO rriti praninë e saj në Kosovë. Sipas saj, përmirësimi i situatës së sigurisë ka bërë të mundur optimizimin e pranisë së trupave, pa ndryshuar angazhimin e Aleancës ndaj misionit.
“Angazhimi ynë ndaj KFOR-it mbetet i palëkundur”, deklaroi ajo.
Shekerinska nënvizoi se NATO do të vazhdojë të mbështesë Kosovën, por theksoi se aleatët presin gjithashtu rezultate konkrete nga dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas saj, vetëm përmes dialogut dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura mund të sigurohen paqja afatgjatë, siguria dhe prosperiteti në rajon.
Ndërkohë, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Kosova mbetet një partner i rëndësishëm për Aleancën, duke vlerësuar pozitivisht përmirësimin e situatës së sigurisë në vend.
