Protesta e organizuar në kryeqytetin shqiptar kundër projektit turistik në Zvërnec është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të policisë.
Gjatë marshimit, protestuesit kanë tentuar të kalojnë kordonin e vendosur nga policia, duke shkaktuar momente tensioni në qendër të Tiranës. Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes shihet se një pjesë e protestuesve kanë arritur të çajnë kordonin policor, ndërsa efektivët kanë ndërhyrë për të rikthyer kontrollin e situatës.
Protesta është thirrur nga aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e resortit në Zvërnec dhe kërkojnë ndalimin e projektit. Tubimi vjen pas tensioneve të ditëve të fundit lidhur me zhvillimet në zonën bregdetare të Vlorës.
Pavarësisht incidenteve, protestuesit kanë vijuar marshimin me thirrje kundër projektit, ndërsa policia ka shtuar masat e sigurisë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Pamjet nga protesta po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale dhe media, duke dokumentuar momentin kur kordoni i policisë u thye nga turma e protestuesve.
