Analisti politik Besnik Shabiu ka kritikuar qasjen e partive politike në Kosovë, duke thënë se ato ndër vite janë përqendruar më shumë në përvetësimin e historisë dhe të së kaluarës, sesa në paraqitjen e ideve dhe planeve për të ardhmen.
Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, gjatë diskutimit për viktimizimin e subjekteve politike, Shabiu ka thënë se debati politik në Kosovë është dëmtuar nga kjo qasje, duke u zhvendosur drejt interpretimeve dhe pretendimeve për të kaluarën, në vend të diskutimeve për atë që mund të bëhet në të ardhmen.
Sipas tij, partitë politike janë futur në një garë se kush ka më shumë të drejtë mbi historinë dhe të kaluarën e Kosovës, ndërsa hapësira për debat rreth së ardhmes është ngushtuar.
Ai ka vlerësuar se pothuajse çdo temë në Kosovë përfundon duke u ngushtuar, pasi subjektet politike synojnë të përvetësojnë meritat dhe të drejtën për të folur në emër të çështjeve të caktuara.
Shabiu ka theksuar se qytetarët e dinë se për çfarë janë angazhuar partitë politike ndër vite, duke përmendur edhe përgjegjësinë e LDK-së për të kërkuar drejtësi për vrasjen e aktivistëve të saj.




















