Analisti politik Dukagjin Gorani ka deklaruar se shoqëria kosovare ndër vite ka ndërtuar një kulturë të viktimizimit, e cila është shndërruar në një formë të veprimit politik nga subjektet politike.
Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, në kuadër të diskutimit për temën “Politika e viktimës”, Gorani ka thënë se kjo kulturë, përveçse është absurde, përmban edhe kundërthënie në vetvete.
Sipas tij, viktimizimi zakonisht nënkupton një gjendje pasiviteti shoqëror dhe jo aktivizim apo angazhim për ndryshim.
Gorani ka shpjeguar se ideja e viktimës lidhet kryesisht me kërkesën për drejtësi dhe kompensim, duke u bazuar në bindjen se dikush i ka borxh diçka dhe duhet ta kompensojë.
Ai ka theksuar se kjo qasje nuk lidhet domosdoshmërisht me aktivizimin shoqëror, krijimin e ideve të reja apo ndërmarrjen e veprimeve konkrete.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, Gorani ka vlerësuar se pothuajse secili subjekt politik, në një formë apo tjetër, ka ndërtuar aktivitetin e vet politik mbi narrativën e viktimizimit.




















