Visar Ymeri: Partitë politike në Kosovë e përdorin viktimizimin për mbijetesë dhe fitore politike

Facebook
WhatsApp

Analisti politik Visar Ymeri ka kritikuar mënyrën se si subjektet politike në Kosovë e përdorin viktimizimin si strategji politike, duke thënë se përmes tij synojnë të ruajnë mbështetjen e elektoratit, të sigurojnë mbijetesën politike apo edhe të fitojnë zgjedhjet.

Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, Ymeri ka shpjeguar se viktimizimi në politikë funksionon ndryshe nga trajtimi i një viktime në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Ai ka theksuar se një viktime nuk mund t’i vihet lehtësisht në pikëpyetje ajo që rrëfen, as nuk mund t’i kërkohet të falë apo të tejkalojë përjetimet e saj, ndërsa në politikë këto mekanizma shpesh përdoren për të shmangur kritikën dhe për të krijuar mbështetje.

Sipas tij, subjektet politike që paraqiten si viktima, duke u mbështetur në përvojat dhe padrejtësitë që kanë përjetuar në forma të ndryshme, mund ta shndërrojnë këtë narrativë në instrument për përfitime politike.

Ymeri ka vlerësuar se viktimizimi mund të përdoret edhe në afat të shkurtër, me synimin për të mobilizuar votuesit dhe për të fituar zgjedhjet.

Ai ka nënvizuar se në politikën kosovare kjo qasje shfaqet si një mekanizëm për ruajtjen e mbështetjes dhe sigurimin e vazhdimësisë politike të subjekteve të caktuara.

Related Posts